

22 korrik 2026 – Shqipëria vijon të renditet e para në Europë për peshën që zënë shpenzimet për ushqime në raport me madhësinë e ekonomisë, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga revista Monitor.
Statistikat tregojnë se në vitin 2025, shpenzimet për ushqime përfaqësuan 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2024 (20.5%). Kjo do të thotë se rreth një e pesta e prodhimit vjetor të ekonomisë shqiptare përdoret për blerjen e produkteve ushqimore.
Sipas ekspertëve, ky tregues reflekton faktin se familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave për nevojat bazë, ndërsa në ekonomitë me të ardhura më të larta pesha e ushqimeve në buxhetin familjar është dukshëm më e ulët.
Shqipëria mbi vendet e rajonit
Në Ballkanin Perëndimor, pas Shqipërisë renditet Mali i Zi me 19.9% të PBB-së, i ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina me 19.1% dhe Maqedonia e Veriut me 17.9%. Serbia regjistroi një nivel dukshëm më të ulët, me 12.8%, ndërsa për Kosovën nuk ka të dhëna të publikuara.
Diferencë e madhe me Bashkimin Europian
Mesatarja e Bashkimit Europian ishte vetëm 6.2% e PBB-së, çka do të thotë se pesha e shpenzimeve për ushqime në Shqipëri është më shumë se trefishi i mesatares së vendeve të BE-së.
Edhe krahasuar me vendet me të ardhura më të ulëta të unionit, diferenca mbetet e konsiderueshme. Në Rumani ushqimet përbënin 12.9% të PBB-së, në Bullgari 11%, ndërsa në Greqi 11.2%.
Ushqimet më të shtrenjta se mesatarja e BE-së
Të dhënat e Eurostat tregojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën për herë të parë 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian, të matura sipas fuqisë blerëse. Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që kushton mesatarisht 100 euro në BE, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve mbeten më pak se gjysma e mesatares europiane.
Rreth 5 miliardë euro në vit për ushqime
Në vlerë absolute, shqiptarët shpenzuan rreth 5 miliardë euro për ushqime gjatë vitit 2025. Sipas Eurostat, shpenzimi mesatar për banor arriti në 2,349 euro në vit, një nivel i afërt me mesataren e Bashkimit Europian (2,576 euro), por në raport me të ardhurat mbetet shumë më i lartë, duke reflektuar barrën që zënë ushqimet në buxhetin e familjeve shqiptare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






