Transmetuar më 22-07-2026, 07:31

Sarandë, 22 korrik 2026 – Një stuhi e fuqishme që përfshiu Sarandën në orët e para të mëngjesit shkaktoi dëme materiale dhe la të plagosur tre persona.

Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me erë të fortë, zgjatën vetëm pak minuta, por mjaftuan për të rrëzuar disa pemë, të cilat bllokuan përkohësisht rrugë të qytetit dhe krijuan vështirësi në qarkullim.

Dëme janë raportuar edhe në biznese përgjatë shëtitores, ku era e fortë ka dëmtuar fasada dhe struktura të jashtme.

Një nga incidentet më të rënda u regjistrua në rrugën përballë stadiumit, ku rrëzimi i një pishe shkaktoi dëmtime në tre automjete të parkuara.

Sipas informacionit nga shërbimi i urgjencës, tre persona morën ndihmë mjekësore pasi u lënduan nga copëzat e xhamave të thyer si pasojë e stuhisë. Pas trajtimit, ata janë larguar nga spitali në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë, ekipet e shërbimeve të Bashkisë së Sarandës ndodhen në terren për pastrimin e zonave të prekura, largimin e pemëve të rrëzuara dhe rikthimin e normalitetit në qytet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit