

Në një aksion të radhës së Policisë së Shtetit, me mbështetjen e fortë të ministrit të Brendshëm, po goditen sërish bizneset që merren me errësim të xhamave dhe po gjobiten me shuma të majme plot drejtues automjetesh.
Fushata e re vjen disa kohë pasi qeveria e kryeministrit Rama lehtësoi ndjeshëm procedurat e errësimit të xhamave të makinave duke e promovuar këtë edhe përmes Drejtorisë së Rrugëve dhe Transportit.

Tani, fushatat promovuese që shihni më lart, i kanë lënë vendin fushatave kundër errësimit të xhamave, pasi konstatohet se shumë makina kanë nxirë xhamat ballore dhe të dyerve të parme duke krijuar vështirësi për shquarjen e njerëzve brenda tyre.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar lidhur me aksionin e fundit të Policisë Rrugore për evidentimin dhe heqjen e xhamave të errësuar të automjeteve që janë vendosur në kundërshtim me ligjin. Ai njoftoi të martën se xamat e errësuar pa leje do të hiqen.
"Xhamat e errësuar në makinë nuk ju bëjnë të padukshëm. Dhe më keq akoma kur ato i keni pa leje, sigurisht që do të hiqen pa një pa dy nga Policia e Shtetit", tha ministri.
Ndërsa shtoi: "Rrugët nuk janë vend për anonimitet dhe as për privilegje. Janë hapësirë publike ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë".

Policia Rrugore prej gati dy javësh po ushtron kontrolle në të gjithë vendin dhe janë ndëshkuar më shumë se 500 drejtues mjetesh për xhama të errësuar.
Pikërisht këtu ka lindur dhe debati. Disa pretendojnë se i kanë xhamat e errësuar brenda normës, plot të tjerë thonë se i kanë origjinalë të prodhuesit të makinës së tyre dhe në këtë vorbull, shumë akuzojnë për ndëshkime të padrejta.
Cilat janë nivelet e lejuara të errësimit të xhamave në Shqipëri
Një xham konsiderohet që është i errësuar nëse Tejçueshmëria e Dritës (TD) është më pak se 70%! Me errësim të xhamit kuptojmë përdorimin e materialeve errësuese, por që vlera/niveli i errësimit në përqindje (%) përfshin totalin, së bashku, të xhamit origjinal dhe materialit errësues!
Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës (TD) në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125 mm.
Nivelet e lejuara të errësimit
Për xhamat e përparmë anësorë, të drejtuesit të mjetit dhe pasagjerit, parashikohet nivel tejçueshmërie drite (TD) jo më pak se 50%! Duhet patur parasysh që errësimi që ka xhami origjinal së bashku me materialin errësues të mos e kalojnë nivelin e 50% errësim! Errësimi i xhamave të përparmë anësor tarifohet me vlerën 20,000 Lekë për të dy xhamat (përveç tarifës prej 2,000 Lekë të Certifikatës së Miratimit për këtë shërbim).
Për xhamat e pasmë anësorë dhe xhamin fundor, tejçueshmëria e dritës (TD) mund të jetë nga 10% deri në 70%, me kushtin që të mos cënohet sistemi i shikimit prapa sipas parashikimit të gërmës “f”, të pikës 1, të nenit 72 të Kodit Rrugor.
Për autoveturat me xhama origjinalë (jo të veshur me materiale errësuese) parashikohet:
Për xhamat e fabrikuar, të errët, përveç xhamave anësorë të përparmë, lejohen të qarkullojnë pa Certifikatë Miratimi!
Për xhamat anësorë të përparmë, të errët, duhet të respektohet niveli i tejçueshmërisë së dritës (TD) jo më pak se 50%! Për çdo nivel mbi 30% deri 50% të errët, edhe kur errësimi është origjinal/jo me materiale errësuese mbi xham, autovetura i nënshtrohet Certifikimit/Tarifës që buron nga Udhëzimi Nr.5, dt. 7.10.2019! Zotëruesi i mjetit duhet të paraqitet pranë Drejtorisë Rajonale sipas juridiksionit ku ka banimin për pagesën e tarifës prej 20,000 Lekë dhe pajisjen me certifikatë miratimi e cila kushton 2,000 Lekë.
Kur nuk kërkohet certifikatë miratimi
Grilat që janë pjesë konstruktive e autoveturës;
Xhama të errët të homologuar nga prodhuesi i xhamave dhe që kanë shenjën e miratimit të tipit KE (përjashtuar rastet e parashikuara më sipër).
Xhama jo të errët, të cilëve u është aplikuar material, por nuk e kalojnë nivelin e errësimit prej 30% (TD jo më pak se 70%).
Materialet e ndaluara për errësimin e xhamave
Materiale me ngjyra monokromatike si e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj;
Materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues;
Materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë;
Materiale që krijojnë efekte turbulluese ose shpërqëndruese për shikimin e drejtuesit të mjetit;
Materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse.
Tarifat
Miratimi i errësimit për xhamin fundor, xhamat anësorë të pasëm, xhamat trekëndorë të pasëm të autoveturës – 3,000 Lekë.
Miratimi i errësimit për xhamat anësorë të përparmë të autoveturës – 20,000 Lekë.
Certifikata e miratimit të errësimit të xhamave të autoveturës – 2,000 Lekë.
Kujdes: Afati i vlefshmërisë së certifikatës së miratimit është i barazvlefshëm me afatin e garancisë së materialit për errësimin e xhamave. Tarifat për këtë shërbim i shtrijnë efektet deri në përfundim të vlefshmërisë së certifikatës së miratimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






