Transmetuar më 21-07-2026, 23:20

Kuvendi i Shqipërisë pritet të vendosë këtë të enjte se kur do të prezantohen raportet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Reformën Administrativo-Territoriale.

Seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar ishte parashikuar të mbahej më 23 korrik, ku në rendin e ditës ishte planifikuar edhe prezantimi i raporteve të dy forcave politike për punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Megjithatë, në kalendarin zyrtar të publikuar nga Kuvendi për seancën e së enjtes, nuk është përfshirë raporti i këtij komisioni, ndërsa mandati i tij përfundoi më 15 korrik.

Të enjten paradite do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku pritet të diskutohet kalendari i punimeve për periudhën 27-31 korrik dhe mundësia e zhvillimit të një tjetër seance plenare, ku mund të përfshihet edhe prezantimi i raportit për Reformën Territoriale.

Data 27 korrik shihet si një nga mundësitë kryesore për një seancë shtesë, nëse kjo do të miratohet nga Konferenca e Kryetarëve.

Partia Socialiste ka deklaruar se raportin e saj do ta prezantojë më 23 korrik. Përveç analizës së reformës së vitit 2014, socialistët pritet të paraqesin edhe propozimin e tyre për ndarjen e re territoriale dhe numrin e bashkive.

Ndërkohë, Partia Demokratike pritet të dorëzojë në Kuvend vetëm një analizë mbi reformën e vitit 2014, pa paraqitur një propozim konkret për hartën e re territoriale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit