

Numri i mjeteve rrugore në Shqipëri ka kaluar për herë të parë pragun e 1 milion njësive. Sipas të dhënave për vitin 2025, në vend rezultonin të regjistruara 1 milion e 48 mijë mjete me status aktiv ose të çregjistruara përkohësisht, duke shënuar një rritje prej 9.3% krahasuar me një vit më parë.
Pjesën më të madhe të parkut automobilistik e përbëjnë autoveturat, të cilat zënë 80.8% të totalit. Rritja e numrit të makinave ka ndikuar edhe në nivelin e motorizimit, ku në vitin 2025 u regjistruan 361 autovetura për çdo 1 mijë banorë, nga 326 që ishte ky tregues në vitin 2024.
Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të numrit të mjeteve në vend, me 34.7% të totalit të regjistrimeve. Pas saj renditet Durrësi me 13.6% dhe Fieri me 9.1%. Megjithatë, kur numri i automjeteve përllogaritet në raport me popullsinë, qarku i Durrësit rezulton më i motorizuari në Shqipëri, me 535 autovetura për çdo 1 mijë banorë.
Pavarësisht rritjes së numrit të automjeteve, të dhënat tregojnë se parku rrugor shqiptar vijon të jetë i vjetër. Rreth 55.3% e mjeteve janë prodhuar gjatë periudhës 2000-2010, ndërsa 45.7% e autoveturave kanë një moshë nga 11 deri në 20 vjet.
Në tregun shqiptar dominojnë ende automjetet me kambio manuale, të cilat përbëjnë 55.9% të totalit, edhe pse makinat me kambio automatike po shtohen me ritme të shpejta. Për sa i përket markave, Volkswagen kryeson me 19.7% të autoveturave në qarkullim, i ndjekur nga Mercedes-Benz me 18.1%.
Nafta mbetet karburanti dominues në Shqipëri, me 72.1% të autoveturave që përdorin këtë lëndë djegëse gjatë vitit 2025. Megjithatë, tregu i automjeteve elektrike po njeh një rritje të ndjeshme, me një shtim prej 91.2% brenda një viti, duke treguar një prirje të re drejt mjeteve më pak ndotëse.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






