Transmetuar më 21-07-2026, 21:45

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave që kanë shoqëruar Paketën e Maleve, duke akuzuar kundërshtarët e saj se po përdorin profile false në rrjetet sociale për të sulmuar qeverinë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama publikoi disa komente kritike ndaj paketës dhe pretendoi se një pjesë e madhe e tyre vijnë nga llogari të rreme. Sipas tij, pas këtyre profileve qëndrojnë përfaqësues të opozitës parlamentare dhe kundërshtarë të tjerë politikë.

“Lexoni argumentet e kundërshtarëve të Paketës së Maleve dhe kini parasysh se 90% e tyre janë vërtet profile false. Pas tyre qëndrojnë pikërisht opozitat parlamentare dhe opozitat imagjinare”, shkroi Rama.

Kryeministri kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur në disa reagime online, duke e cilësuar atë si gjuhë urrejtjeje dhe sulme personale ndaj tij dhe mbështetësve të politikave të qeverisë.

Në reagimin e tij, Rama iu referua edhe protestave dhe kundërshtimeve të shfaqura në Theth, duke u shprehur se qytetarët duhet të mendojnë nëse njerëz që përdorin këtë gjuhë duhet të kenë në dorë vendimmarrjen për të ardhmen e vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit