

Qytetarët u mblodhën edhe këtë të martë në Tiranë, duke shënuar ditën e 52-të radhazi të protestës kundër qeverisë. Tubimi nisi në sheshin "Skënderbej", ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku zhvilluan fjalime dhe përsëritën kërkesat e tyre.
Protesta, e cila nisi pas ngjarjeve në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, pjesëmarrësit bënë thirrje për ndryshim, ndërsa në tubim morën pjesë qytetarë të grupmoshave dhe profesioneve të ndryshme.
Gjatë marshimit, protestuesit brohoritën slogane si "Rama, jep dorëheqjen", "Pa rini nuk ka Shqipëri", "Poshtë patronazhistët", "Shqipëria kërkon revolucion" dhe "Ju erdhi fundi", duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Një nga pjesëmarrësit në protestë deklaroi se lëvizja qytetare synon të kundërshtojë korrupsionin dhe qeverisjen aktuale, ndërsa akuzoi kryeministrin se ka humbur mbështetjen e një pjese të madhe të qytetarëve.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, si edhe shfuqizimin e disa ligjeve dhe paketave të miratuara nga mazhoranca, përfshirë Paketën e Maleve, ndryshimet për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe ligjin për investimet strategjike. Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






