Transmetuar më 21-07-2026, 19:21

Propozimi i bërë nga kryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, për mundësinë e shkrirjes së Bashkisë së Përrenjasit dhe integrimit të saj si njësi administrative në Bashkinë e Librazhdit, ka shkaktuar reagime të forta në qytet dhe në të gjithë territorin e bashkisë.

Në ditët e fundit, kundërshtimi ndaj këtij skenari ka bashkuar qytetarë, ish-drejtues vendorë, ish-deputetë, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të komunitetit, të cilët e konsiderojnë këtë nismë si një cenim të identitetit, historisë dhe perspektivës së zhvillimit të Përrenjasit.

Sipas tyre, Bashkia e Përrenjasit përfaqëson një njësi vendore me histori, traditë dhe potencial të konsoliduar zhvillimi, ndaj nuk duhet të humbasë statusin e saj administrativ.

Reagimet janë shoqëruar me një mobilizim të gjerë edhe në rrjetet sociale, ku shumë banorë kanë shprehur publikisht kundërshtimin ndaj çdo plani që parashikon bashkimin me Librazhdin. Paralelisht, qytetarët kanë nisur një peticion, i cili deri tani është firmosur nga qindra banorë, me kërkesën që qeveria dhe Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale të heqin dorë nga ky propozim.

Çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Përrenjasit, ku reforma administrativo-territoriale ishte tema kryesore e debatit. Këshilltarët kërkuan sqarime nga kryetari i bashkisë, Nuri Belba, lidhur me informacionet e publikuara dhe qëndrimin zyrtar të institucionit për këtë çështje, duke theksuar nevojën për transparencë dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit.

Nën moton e ruajtjes së identitetit dhe të ardhmes së qytetit, qytetarët kërkojnë që Bashkia e Përrenjasit të vijojë të funksionojë si njësi e pavarur e vetëqeverisjes vendore. Ata theksojnë se kjo është një kauzë qytetare dhe jo politike, pasi ruajtja e bashkisë konsiderohet një interes i përbashkët për të gjithë banorët, pavarësisht bindjeve politike.

Organizatorët bëjnë të ditur se peticioni do t’u dorëzohet institucioneve përgjegjëse, ndërsa paralajmërojnë se do të organizojnë protesta masive nëse propozimi për bashkimin e Bashkisë së Përrenjasit me Librazhdin mbetet pjesë e diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale.

Sipas të dhënave zyrtare, Bashkia e Përrenjasit renditet e 31-ta nga 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë, me mbi 20 mijë banorë. Përfaqësues të komunitetit theksojnë se ajo bën pjesë në grupin e bashkive me popullsi mesatare, duke përmbushur kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian për të funksionuar si njësi vendore më vete. Ata nënvizojnë gjithashtu se rreth gjysma e bashkive në Shqipëri kanë më pak se 10 mijë banorë, ndërsa disa të tjera nuk arrijnë as pragun e 15 mijë banorëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit