

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Thethit, hodhi akuza ndaj protestuesve që prej 52 ditësh mblidhen çdo ditë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe largimin e kastës së vjetër politike.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të banorëve për Paketën e Maleve dhe ndërhyrjet ndaj ndërtimeve pa leje në Theth, Rama mbrojti politikat e qeverisë për zhvillimin ekonomik, duke theksuar se investimet e huaja janë thelbësore për financimin e projekteve infrastrukturore.
Sipas tij, edhe vendet më të zhvilluara konkurrojnë për të tërhequr investitorë të huaj, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, kundërshtojnë këtë qasje.
"Nga vijnë fondet? Fondet vijnë nga investimet. Edhe shtetet më demokratike bëjnë garë për të sjellë më shumë investime të huaja. Në Shqipëri dalin lloj-lloj sharlatanësh, delirantësh e ekstremistësh dhe thonë nuk duam investime të huaja, nuk duam të huaj në Shqipëri. Kujt po ia shesim Shqipërinë?", deklaroi Rama, duke përmendur edhe investimet nga Katari si shembull.
Kryeministri bëri të ditur se qeveria do të nisë ndërtimin e rrugës së Dukagjinit, ndërsa vlerësoi se zona ka pësuar ndryshime të mëdha ndër vite, duke kujtuar periudhën kur, sipas tij, mungonin infrastruktura, energjia elektrike dhe furnizimi me ujë.
Gjatë takimit, Rama u ndal edhe te Paketa e Maleve, për të cilën tha se nuk është hartuar për të favorizuar oligarkët apo uzurpatorët, por për të zgjidhur problematikat e pronësisë në zonat malore dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të tyre.
"Paketa e Maleve nuk është për uzurpatorë dhe as për oligarkë. Ajo synon të zgjidhë çështjet e pronësisë për trashëgimtarët dhe të krijojë mundësi zhvillimi për zonat malore, ku turizmi përbën alternativën kryesore ekonomike", u shpreh Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






