Transmetuar më 21-07-2026, 19:00

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me banorët e Thethit, ku diskutoi mbi Paketën e Maleve. Gjatë fjalës së tij, ai iu rikthye aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin turistik, duke deklaruar se procesi i legalizimit ishte keqinterpretuar nga një pjesë e banorëve.

Sipas Ramës, qeveria kishte premtuar legalizimin vetëm të objekteve ekzistuese dhe jo të ndërtimeve të reja pa leje. Ai tha se pas vizitës së tij në Theth pati një shtim të ndërtimeve informale, pasi disa qytetarë besuan se edhe ato do të përfshiheshin në procesin e legalizimit.

"Është tërësisht e pavërtetë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: vazhdoni të ndërtoni se do t’i legalizojmë. Nuk kam pasur si ta them, sepse do të isha në shkelje të ligjit. Unë kam thënë se do të legalizohen objektet ekzistuese, duke nisur nga ndërtimet e vjetra", u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se edhe shumë banesa tradicionale dhe kulla të trashëguara nuk dispononin dokumentacion pronësie, për shkak se ndodheshin në një zonë të mbrojtur, çka, sipas tij, e bënte të pamundur regjistrimin e tyre në hipotekë.

Ai shtoi se situata ndryshoi pas nisjes së procesit të legalizimit, kur në zonë nisi një valë ndërtimesh pa leje.

"Pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme. Meqë po legalizoheshin objektet ekzistuese, disa menduan se mund të ndërtonin edhe të reja për të përfituar. U dëmtua kartolina botërore e Thethit. Lëndina pranë kishës u zaptua, u vendosën shtëpiza druri, u rrethua zona, u shtrua me zhavorr dhe u krijua një plagë në zemër të Thethit. Si mund t’i lejonim ne këto?", deklaroi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit