Transmetuar më 21-07-2026, 17:53

Deputetja Marjana Koçeku ka folur sërish për vendimin e saj për t’u larguar nga Partia Socialiste, duke zbuluar se askush nuk ishte vënë në dijeni paraprakisht dhe se vendimin e mësuan përmes postimit të saj në rrjetet sociale.

E ftuar në News24, Koçeku deklaroi se pas njoftimit publik ka marrë telefonata nga drejtues të Partisë Socialiste, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama. Ajo tha se me kreun e qeverisë komunikoi disa ditë më vonë, duke i bërë të qartë se largimi ishte një vendim përfundimtar.

"Kam pasur shumë telefonata nga drejtues të PS-së dhe nga kryeministri. Ramës ia komunikova më vonë se ky ishte një hap përfundimtar dhe nuk do të kishte tërheqje mbrapa. Ka pasur tentativa, por ky është vendimi im", u shpreh Koçeku.

Deputetja tha se kohët e fundit ka vënë re pakënaqësi brenda Partisë Socialiste, duke shtuar se shpreson që anëtarët dhe përfaqësuesit e saj të gjejnë kurajën për të ushtruar përgjegjësitë që u janë besuar.

Duke komentuar kërcënimet që ka deklaruar më herët se ka marrë nga fisi Bajri, Koçeku u shpreh se reagimin e saj e ka bërë tashmë publik dhe nuk dëshiron të shtojë më tej mbi këtë çështje.

"Reagimin tim për kërcënimet e kam bërë publik. Jam mjaftuar me atë mesazh dhe ai ka qenë mbi baza të forta", deklaroi deputetja.

Koçeku theksoi gjithashtu se dëshiron të respektojë privatësinë e personave që e kanë mbështetur gjatë këtij procesi, ndërsa ritheksoi se vendimi për t’u larguar nga Partia Socialiste është i pakthyeshëm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit