Transmetuar më 21-07-2026, 17:51

Rritja e çmimit të karburanteve në vend ka sjellë reagimin e deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ka kërkuar rikthimin e Bordit të Transparencës për monitorimin e tregut të hidrokarbureve.

Reagimi i tij vjen pasi çmimi i naftës në pikat e tregtimit në Shqipëri ka arritur në 206 lekë për litër.

Sipas Braçes, tregtarët nuk reflektuan uljen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë javëve të fundit, ndërsa rritjet po i zbatojnë menjëherë në tregun vendas.

Deputeti thekson se për rreth tre javë, kur çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ishte në rënie, çmimi në Shqipëri mbeti i pandryshuar. Ndërsa me ndryshimin e tendencës, sipas tij, karburantet në vend janë shtrenjtuar më shumë sesa në vendet europiane.

"Ndërkohë që në Europë çmimi i karburanteve është rritur me rreth 16 cent për litër, në Shqipëri rritja ka qenë rreth 32 cent për litër", argumenton Braçe.

Ai ngriti shqetësim edhe për çmimin e gazit, duke theksuar se ky produkt nuk ka njohur ulje, ndërsa shtoi se edhe gjatë periudhës kur funksiononte Bordi i Transparencës nuk u morën vendime për rregullimin e çmimit të tij.

Përmes reagimit të tij, Braçe kërkon rikthimin e mekanizmit të Bordit të Transparencës, me argumentin se ai do të mundësonte një kontroll më të madh mbi mënyrën se si reflektohen luhatjet e tregjeve ndërkombëtare në çmimet e karburanteve në Shqipëri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit