

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një bashkëbisedim në Theth me qytetarë dhe aplikues të Paketës së Maleve, ku përsëriti se qeveria nuk do të tërhiqet nga kjo nismë, pavarësisht kundërshtimeve të ngritura nga protestuesit.
Rama deklaroi se Paketa e Maleve nuk synon t’u shërbejë uzurpatorëve apo oligarkëve, por është hartuar për të nxitur zhvillimin ekonomik të zonave malore dhe për t’u krijuar mundësi investimi trashëgimtarëve të pronave.
Sipas kreut të qeverisë, nisma u drejtohet veçanërisht zonave ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501, pasi banorët kanë ruajtur ndarjen tradicionale të pronave dhe, në shumicën e rasteve, nuk kanë konflikte pronësie.
"Paketa e Maleve nuk është për uzurpatorë, as për biznesmenë që nuk kanë marrëveshje me ju, as për oligarkë. Ajo synon të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501, si dhe të krijojë mundësi zhvillimi në zona ku turizmi mbetet potenciali kryesor ekonomik", u shpreh Rama.
Paketa e Maleve ka ngjallur debat publik dhe është kundërshtuar nga një pjesë e banorëve dhe aktivistëve, të cilët kërkojnë shfuqizimin e saj, duke argumentuar se mund të ndikojë në administrimin dhe pronësinë e tokave në zonat malore. Nga ana tjetër, qeveria këmbëngul se nisma synon të formalizojë zhvillimin dhe të nxisë investimet në këto zona.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






