

Janë publikuar për herë të parë pamje filmike nga ambientet e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, që lidhen me hetimin për abuzimin e dyshuar me fondet e institucionit.
Në video shfaqet ish-shefja e financës, Valbona Duni, teksa hyn në ambientin e arkës, merr një sasi parash, i vendos në një thes dhe largohet. Në pamje duken gjithashtu edhe momente të tjera brenda zyrës, ku Duni bisedon me ish-arkëtaren Paola Dana, ndërsa mban në duar disa dokumente.
Pamjet janë publikuar nga DurrësLajm dhe janë bërë publike ndërsa vijojnë hetimet për këtë çështje.
Ndërkohë, zhvillimet nuk ndalen me masat e sigurisë të vendosura nga gjykata. Dy ditë pasi ndaj Valbona Dunit u caktua masa "arrest në shtëpi", bashkëshorti i ish-drejtoreshës së filialit të Postës në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në masën "arrest në burg", ka depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza ndaj ish-shefes së financës.
Sipas Prokurorisë, Elisabeta Mataj, Valbona Duni dhe Paola Dana akuzohen, pas kallëzimit të bërë nga Posta Shqiptare, për veprën penale të "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim". Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj çështjeje vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






