Transmetuar më 21-07-2026, 13:19

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në nëntor të vitit 2022.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Haxhiu deklaroi se me këtë vendim përmbyllet një proces i zgjatur dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

Vendimi vjen pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi më herët gjatë kësaj jave kërkesën e shtatë prokurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022. Propozimi u miratua nga Këshilli me iniciativën e nënkryetarit Dardan Vuniqi, ndërsa hyrja në fuqi kërkonte dekretin e ushtrueses së detyrës së presidentes.

Haxhiu theksoi se askush nuk mund të pengojë funksionimin e institucioneve apo të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara, duke shtuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të veprojnë në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të integritetit institucional.

Dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga policia, prokuroria, gjyqësori dhe institucionet e tjera në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës u paraqitën në nëntor të vitit 2022, pas thirrjes së Listës Serbe për largim kolektiv në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë një vendim për kërkesat e gjyqtarëve serbë që kanë kërkuar të tërheqin dorëheqjet e tyre. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka deklaruar se kjo çështje po trajtohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit