Transmetuar më 21-07-2026, 12:46

Hetimet për atentatin me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen “Vullnetari” të Elbasanit vijojnë, ndërsa grupi hetimor po shqyrton disa pista për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur Armand Tomorrica, Renaldo Mance dhe 19-vjeçari Biorgi Hoxha, kamarier në lokalin ku ndodhi sulmi. Ky i fundit dyshohet se është plagosur aksidentalisht.

Sipas të dhënave paraprake, objektiv i atentatit dyshohej se ishin Tomorrica dhe Mance, për shkak të një konflikti të mëparshëm me autorin e dyshuar. Megjithatë, kjo pistë mbetet ende nën verifikim.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se gjatë dëshmive të dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore, tre të plagosurit kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe se nuk kanë konflikte me persona të tjerë.

Pas këtyre deklarimeve, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që autori të ketë ngatërruar shënjestrën, duke e konsideruar këtë si një nga pistat kryesore të hetimit.

Ndërkohë, grupi hetimor po merr në pyetje dëshmitarë dhe klientë që ndodheshin në lokal në momentin e sulmit, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Tre të plagosurit kanë lënë spitalin pasi ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori i dyshuar vijon të jetë në kërkim nga Policia.

Çfarë njoftoi policia pas ngjarjes

Rreth orës 20:30, në lagjen "Vullnetari", Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë plagosur, jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit