

Emri i familjes së presidentit amerikan Donald Tramp, konkretisht dhëndrit të tij, Xhared Kushner, prej muajsh nxit protesta në Shqipëri dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, dhe të liderit të opozitës Sali Berisha.
Kompania e Kushnerit tashmë është përmendur si investitor në projektet e ishullit të Sazanit dhe të lagunës Vjosa-Nartë pranë Vlorës, gjë që nxiti protestat.
Por Laboratori Hulumtues Raportues (IRL) nga Shkupi zbuloi edhe një lidhje tjetër: Firma që bën kontabilitetin e fondeve të Kushnerit del në financimin e linjës së kredisë prej 100 milionë eurosh të marrë nga Mabco e Behgjet Pacollit për aeroportin e Vlorës.
Ky projekt prej një viti shkakton skandale në Shqipëri për shkak të pronësisë.
Ndërsa opinioni publik në Shqipëri është i fokusuar te protestat e Revolucionit të flamingove dhe projektet e dhëndrit të presidentit amerikan Donald Tramp, Xhared Kushner, redaksia e Laboratorit Hulumtues Raportues IRL nga Shkupi zbuloi si po financohet ndërtimi i aeroportit pranë Vlorës.
Në këtë rast konsulli nderi i Maqedonisë në qytetin kosovar të Gjilanit, Valon Ademi, është një nga protagonistët kryesorë, bashkë me biznesmenin kosovar Behgjet Pacolli, si pronarë të kompanive të cilat kanë koncesionin nga shteti shqiptar për ndërtimin dhe operimin e aeroportit.
Ata fillimisht morën kredi nga Banka Kombëtare Tregtare në vlerë prej 56 milionë eurosh, por më pas, në vitin 2025, „Mabco“ e Pacollit lidhi një kontratë të re me një huadhënës tjetër për një linjë krediti prej 100 milionë eurosh. Në këtë kontratë nuk mori pjesë kompania e Ademit.
Por, në vend që të merrte përsëri kredi bankare, këtë herë në Mabco vendosën të kërkojnë para përmes një fondi privat, respektivisht përmes emetimit të obligacioneve.
Në këtë rast kjo u bë përmes Delphos Securities, një fond në Luksemburg, i themeluar më 2024 nga një fondacion nga Malta.
Pacolli u ka thënë mediave shqiptare se linja e kredisë prej 100 milionë eurosh u rregullua me firmën financiare Delphos, me seli në Uashington.
Por hetimi i IRL-së nuk gjeti asnjë provë që kjo njësi amerikane të ketë ndonjë lidhje pronësie me fondacionin në Maltë e cila është kompania mëmë e fondacionit në Luksemburg me të cilën Mabco nënshkroi marrëveshjen.
IRL kërkoi takim me Behgjet Pacollin, por nuk mori përgjigje. Gjithashtu dërgoi pyetje te Mabco, te administratorët e fondacioneve në Luksemburg dhe në Maltë, por dhe te Delphos në Uashington, por nuk mori asnjë përgjigje.
Më tej gazetarët nga Shkupi gjetën se investitorë që financuan linjën e kredisë së Pacollit janë fondi amerikan i investimeve GMO Trust, dhe SEI Institutional Investments Trust.
Ky i fundit bën pjesë në familjen e fondeve të SEI Investments Company e cila bën kontabilitetin e fondeve private të Affinity Partners të Jared Kushnerit. Bëhet fjalë për gjashtë fonde, prej të cilave tre janë regjistruar në Ishujt Kajman.
Për sa i përket Valon Ademit, IRL-ja konstatoi se dosja për procesin e emërimit të Ademit si konsulli nderi i Maqedonisë në Kosovë është pothuajse bosh në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup.
Ai u emërua në këtë funksion në kohën e ministrit Bujar Osmani, kurse vendimi u nënshkrua nga zëvendëskryeministri i atëhershëm, Artan Grubi.
Osmani ka deklaruar për IRL-në se institucionet i kanë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme për Ademin, kurse nga Ministria nuk u përgjigjën pyetjes nëse kanë inicuar kontrolle për të zbuluar ku janë dokumentet e tjera nga dosja e tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






