

Një konflikt që dyshohet se nisi për shkak të zhurmës ka përfunduar me dhunë fizike në një subjekt turistik në Golem. Siç raportohet, pesë turistë turq janë përfshirë në një përplasje me punonjës të stafit të “Diamma Resort”.
Sipas informacioneve paraprake, turistët ishin duke konsumuar ushqim dhe pije në ambientet e lokalit, kur mes tyre dhe personelit ka nisur një debat, pasi punonjësit u kanë kërkuar të ulnin nivelin e zhurmës. Situata më pas ka përshkallëzuar në konflikt fizik.
Policia ka arrestuar në flagrancë menaxherin e subjektit, David Kondo, 33 vjeç, dhe punonjësin e plazhit Eluert Qose, 37 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata dyshohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Sipas policisë, dy të arrestuarit dyshohet se gjatë konfliktit, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta dy prej pushuesve turq.
Ndërkohë, për dy punonjës të tjerë të subjektit, banakierin I. Sh., 48 vjeç, dhe punonjësin e sigurisë T. D., 49 vjeç, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Ata dyshohen për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, pasi dyshohet se kanë goditur dhe kanosur tre turistë turq.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së informacionit për konfliktin dhe kanë kryer veprimet procedurale për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.
Durrës
U konfliktuan fizikisht dhe me sende të forta, me 5 pushues turq, arrestohen 2 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë (punonjës në subjektin ku ndodhi konflikti).
Menjëherë pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në plazh, në Golem, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 33 vjeç dhe E. Q., 37 vjeç, të dy banues në Durrës, përkatësisht menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit në këtë subjekt, për veprat penale "Plagosja e rendë me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Prishja e qetesisë publike", pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 2 pushues turq;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje", kryer në bashkëpunim, dhe "Kanosja", për shtetasit I. Sh., 48 vjeç dhe T. D., 49 vjeç, përkatësisht banakier dhe punonjës sigurie në këtë subjekt, pas dyshohet se kanë goditur dhe kanosur 3 shtetas turq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






