

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur me armë zjarri.
Sipas hetimeve paraprake, objektiv i sulmit dyshohet se kanë qenë Armando Tomorrica dhe Renaldo Mance, ndërsa i plagosur aksidentalisht ka mbetur edhe 19-vjeçari Biorgi Hoxha, i cili punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autori i sulmit kishte pasur më herët një konflikt me Tomorricën dhe Mancen, çka mendohet se mund të ketë qenë edhe motivi i ngjarjes.
Sipas dinamikës së rindërtuar nga grupi hetimor, dy të rinjtë ndodheshin të ulur në një tavolinë në verandën e lokalit, së bashku me kamarierin Biorgi Hoxha. Në një moment, autori i dyshuar është afruar pranë tyre dhe, sipas dëshmive paraprake, ka nisur një konflikt verbal.
Më pas, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur të tre personat.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Tre të plagosurit morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Pas trajtimit dhe pasi rezultuan jashtë rrezikut për jetën, ata janë larguar nga ambientet e spitalit dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, autori i dyshuar i ngjarjes vijon të jetë i paidentifikuar dhe i pakapur. Policia e Elbasanit po vijon kontrollet dhe hetimet për lokalizimin e tij, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po punohet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






