Transmetuar më 21-07-2026, 11:07

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar mëngjesin e së hënës në Korçë, ku 66-vjeçari Irakli Çinoku u gjet i pajetë brenda një automjeti të përfshirë nga flakët.

Sipas të dhënave paraprake, mësohet se 66-vjeçari jetonte i vetëm në periudhën e fundit, pasi kishte pasur probleme në marrëdhënien familjare me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit, së bashku me dy fëmijët e çiftit, ishte larguar për të jetuar në Greqi.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se viktima kishte lënë një shënim para ngjarjes së rëndë, ku dyshohet se kishte shkruar: “Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”.

Dyshimet paraprake të grupit hetimor janë se 66-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës për shkak të gjendjes së rënduar emocionale dhe ndjenjës së fajit për marrëdhënien e tij me familjen. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende objekt hetimi.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 08:40, në lagjen nr. 10 të Korçës, një automjet tip “Benz” është përfshirë nga flakët.

Shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej pa shenja jete shtetasi I. Ç., rreth 66 vjeç.

Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet paraprake dyshohet se 66-vjeçari mund të jetë vetëdjegur brenda automjetit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit