Transmetuar më 21-07-2026, 11:06

Procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, është shtyrë për në muajin shtator nga Gjykata e Posaçme. Të dy të pandehurit po përballen me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në seancën e zhvilluar këtë të martë, Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Përmes një kërkese me shkrim, ai kishte shprehur vullnetin për t’u përfaqësuar nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Avokati Ndreca kishte kërkuar shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ndodhej në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, në Dhomën Civile, ku palë e paditur është Arbjan Mazniku. Sipas gjykatës, mbrojtësi kishte paraqitur pretendimin se ndodhej në “pamundësi objektive” për të marrë pjesë në seancë.

Edhe mbrojtja e Ajola Xoxës kërkoi shtyrjen e procesit, duke argumentuar mungesën e saj për shkak të gjendjes shëndetësore. Avokati Gurali Brahimllari deklaroi se klientja e tij kishte kryer një konsultë mjekësore dhe vijonte të ishte në të njëjtën situatë shëndetësore, çka sipas tij e pengonte të merrte pjesë në proces.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Ols Dado, kundërshtoi kërkesat e mbrojtjes, duke argumentuar se pengesa për zhvillimin e seancës ishte mungesa e mbrojtjes së Veliajt. Ai kërkoi caktimin e një mbrojtësi kryesisht për të pandehurin, vendosjen e një gjobe sipas vlerësimit të gjykatës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit.

Në lidhje me raportin mjekësor të Ajola Xoxës, prokurori deklaroi se gjykata ishte shprehur më herët për këtë çështje, duke pretenduar se gjendja shëndetësore e saj nuk përbënte pengesë për pjesëmarrjen në proces.

Pas konsultimit në dhomën e këshillimit, trupi gjykues vendosi që seanca të vijonte pa praninë e Ajola Xoxës, duke arsyetuar se raporti mjekësor nuk provonte pamundësinë e saj për të marrë pjesë në gjykim. Gjykata vendosi gjithashtu vijimin e seancës pa praninë e Erion Veliajt dhe gjobiti avokatin e tij, Plarent Ndreca, për mungesën.

Po ashtu, për kryebashkiakun e Tiranës u caktua një avokate kryesisht, Valentina Teodoresku, e cila më herët ka qenë pjesë e kësaj dosjeje dhe ka ushtruar mbrojtjen e tij.

Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 15 shtator.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit