Transmetuar më 21-07-2026, 09:40

KIEV/MOSKË – Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë valës së fundit të sulmeve mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa lufta vijon me intensitet të lartë, rreth katër vjet e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus.

Autoritetet ruse raportuan se gjashtë persona janë vrarë në rajonin kufitar të Belgorodit, si pasojë e sulmeve ukrainase me dronë.

Sipas guvernatorit rajonal Alexander Shuvaev, pesë civilë – katër gra dhe një adoleshent – humbën jetën pasi një dron goditi një autobus në qytetin Shebekino, pranë kufirit me Ukrainën. Nga sulmi mbetën të plagosur edhe 23 persona, tre prej të cilëve në gjendje kritike.

Më vonë, Shuvaev njoftoi se një tjetër sulm ukrainas goditi një lavazh automjetesh në qytetin e Belgorodit, duke shkaktuar një viktimë dhe dhjetë persona të plagosur.

Ndërkohë, në territorin ukrainas, sulmet ruse kanë shkaktuar të paktën tetë viktima dhe dhjetëra të plagosur në disa rajone të vendit.

Në Odesa, tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën pas një sulmi që goditi një ndërtesë të një kompanie. Guvernatori rajonal Oleh Kipper publikoi pamje nga vendngjarja, ku shiheshin automjete të dëmtuara dhe ekipet e emergjencës në operacion.

Në rajonin lindor të Dnipropetrovskut, dy persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën në qytetin Pavlohrad, sipas autoriteteve lokale.

Një tjetër viktimë u raportua në Zaporizhia, ku nëntë persona mbetën të plagosur, ndërsa në Kramatorsk, në rajonin e Donetskut, bombardimet ruse shkaktuan dy viktima dhe katër të plagosur.

Gjithashtu, administrata rajonale e Khersonit bëri të ditur se shtatë persona u plagosën nga një sulm rus në jug të Ukrainës.

Ndërsa përplasjet ushtarake vijojnë në terren, përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mbeten të bllokuara. Konflikti mes Moskës dhe Kievit vazhdon pa një afat të qartë për përfundimin e luftimeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit