Transmetuar më 21-07-2026, 09:15

ELBASAN – Tre të rinjtë që mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një lokal në lagjen “Vullnetari” të qytetit të Elbasanit janë larguar nga spitali, pasi gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe plagët e marra nuk kanë qenë me rrezik për jetën.

Burime spitalore bëjnë me dije se Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, Armand Tomorrica, 32 vjeç, dhe Renaldo Mance, 31 vjeç, kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë rikthyer në banesat e tyre.

Sipas të dhënave paraprake, njëri prej të plagosurve ka marrë një dëmtim të lehtë në shpatull, një tjetër është qëlluar në këmbë, ndërsa personi i tretë ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi.

Në vendin e ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar armën e përdorur gjatë sulmit.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Hetimet janë përqendruar në disa pista, ndërsa janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe bizneseve përreth.

Policia ka marrë në pyetje edhe tre personat e plagosur, me qëllim rindërtimin e momentit të sulmit dhe sqarimin e rrethanave që çuan në të shtënat.

Një element i rëndësishëm i hetimit është fakti se në momentin e ngjarjes në lokal ndodhej edhe një efektiv policie jashtë shërbimit. Pasi ka dëgjuar të shtënat, ai ka dalë menjëherë jashtë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë largimit, autori ka hedhur armën e zjarrit, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale, por ka arritur të largohet në brendësi të lagjes.

Pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë kryer kontrolle në një perimetër të gjerë. Operacioni për kapjen e autorit vijon nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa po kryhen të gjitha ekspertizat dhe veprimet procedurale për dokumentimin e ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit