

TEPELENË – Një operacion antidrogë i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tepelenë ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 57-vjeçari, i dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike në një zonë të thellë të kanioneve të fshatit Progonat.
Operacioni, i koduar “Rrjedha”, u finalizua pas një hetimi me metoda proaktive, të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të të dyshuarit.
Sipas Policisë, në vendngjarje u arrestua shtetasi me inicialet I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë. Ai dyshohet se kishte kultivuar 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të mbjella në vazo dhe të vendosura mes kanioneve të Progonatit, në një përpjekje për t’i fshehur nga kontrollet policore.
Gjatë operacionit, uniformat blu asgjësuan të gjitha bimët e dyshuara narkotike, ndërsa ndaj 57-vjeçarit nisi procedimi penal për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.
Policia bën të ditur se kontrollet në kuadër të luftës kundër kultivimit të kanabisit do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut të Gjirokastrës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






