

LONDËR – Ndryshe nga sistemi presidencial, në Mbretërinë e Bashkuar kryeministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por është lideri i partisë që gëzon shumicën e vendeve në Dhomën e Komunave.
Për këtë arsye, një ndryshim në drejtimin e partisë në pushtet mund të sjellë automatikisht edhe ndryshimin e kryeministrit, pa qenë e nevojshme mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme.
Edhe pse fushatat zgjedhore në Britani shpesh fokusohen te liderët politikë, votuesit zgjedhin deputetin e zonës së tyre elektorale dhe jo drejtpërdrejt kryeministrin. Në praktikë, i vetmi elektorat që voton drejtpërdrejt për kryeministrin është ai i zonës ku ai kandidon si deputet.
Nëse partia në pushtet vendos të zëvendësojë liderin e saj përpara zgjedhjeve të ardhshme, drejtuesi i ri merr automatikisht detyrën e kryeministrit, për sa kohë që ruan mbështetjen e shumicës parlamentare.
Në rastin aktual, Andy Burnham mund të vendosë të shpallë zgjedhje të parakohshme pas marrjes së detyrës, por deri më tani nuk ka dhënë sinjale se do të ndjekë këtë rrugë. Sidoqoftë, ai do të duhet të kërkojë mandatin e qytetarëve në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat sipas kalendarit aktual duhet të zhvillohen jo më vonë se 15 gusht 2029.
Emërimi i Burnham ka nxitur reagime nga një pjesë e opozitës, e cila argumenton se ai nuk ka një mandat të drejtpërdrejtë për të drejtuar qeverinë, pasi deri pak kohë më parë nuk ishte as deputet.
Nga ana e tij, Burnham ka deklaruar se qeveria do të vijojë të zbatojë programin elektoral të Partisë Laburiste të miratuar në zgjedhjet e vitit 2024 dhe ka theksuar se tashmë ka marrë mbështetjen e votuesve në zonën e Makerfield, ku u rikthye në Parlament përmes zgjedhjeve të pjesshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






