Transmetuar më 21-07-2026, 07:46

TIRANË – Shqipëria ka shënuar një rekord të ri në punësimin e shtetasve të huaj. Sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), të publikuara nga Policia e Shtetit, deri më 30 qershor 2026 në vend rezultojnë të punësuar ose të vetëpunësuar 22.693 shtetas të huaj, krahasuar me rreth 18 mijë në fund të vitit 2025.

Nga totali, 20.332 shtetas janë pajisur me leje unike si punëmarrës, ndërsa 2.361 të tjerë janë regjistruar me leje unike si të vetëpunësuar.

Shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti përbëjnë grupin më të madh të punëmarrësve të huaj në Shqipëri. Në total, këto tre shtete numërojnë 10.258 leje pune, ose rreth 50% të të gjithë punëmarrësve të huaj në vend.

Filipinet renditen të parat me 3.552 shtetas të pajisur me leje pune, të ndjekura nga India me 3.423 dhe Egjipti me 3.283 punëmarrës.

Pas tyre vijnë Turqia me 1.503 leje pune dhe Italia me 1.306. Në listë renditen gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 619 leje, Indonezia me 229 dhe Kina me 212 shtetas të pajisur me leje pune.

Sipas sipërmarrësve, rritja e punësimit të shtetasve të huaj është përqendruar kryesisht në sektorin e shërbimeve, veçanërisht në bare, restorante dhe hoteleri, ku punësohen si kamarierë, kuzhinierë dhe personel pastrimi. Ndërkohë, industria prodhuese ka shtuar punësimin e inxhinierëve nga India, ndërsa shtetasit egjiptianë angazhohen kryesisht në transport, blegtori dhe agroturizëm.

Punësimi i shtetasve të huaj është zgjeruar edhe në familje, ku shumë shtetase nga Filipinet punojnë si dado, kujdestare për të moshuarit ose për mirëmbajtjen e banesave.

Në kategorinë e të vetëpunësuarve vijojnë të dominojnë shtetasit italianë. Nga 2.361 leje unike për vetëpunësim, 868 i përkasin shtetasve italianë, ose rreth 37% e totalit. Pas tyre renditen shtetasit e Kosovës me 283 leje, Turqisë me 199, Shteteve të Bashkuara me 198, si dhe Ukrainës, Sirisë, Gjermanisë dhe Polonisë.

Të dhënat tregojnë se tregu shqiptar i punës po mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore e huaj, për të përballuar mungesën e punonjësve në disa sektorë të ekonomisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit