Transmetuar më 20-07-2026, 23:40

OHIO, SHBA – Pesë persona kanë humbur jetën në një ngjarje tragjike në lumin Scioto, në periferi të Powell, pranë qytetit të Columbus, pasi një përpjekje për të shpëtuar një person që po përballej me vështirësi në ujë përfundoi në tragjedi.

Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi të dielën, kur një grup njerëzish ishte mbledhur pranë lumit për të kaluar ditën e pushimit. Sipas Sherifit të Qarkut Delaware, Jeffrey Balzer, gjithçka nisi kur një person hyri në lumë për të notuar dhe papritur u përball me probleme.

“Që nga ai moment, tragjedia filloi të zhvillohej”, deklaroi sherifi, duke shpjeguar se disa persona të tjerë u hodhën në ujë për ta ndihmuar, por edhe ata u përfshinë nga rryma e fortë.

Ekipet e shpëtimit që mbërritën në vendngjarje gjetën dy gra në lumë, të cilat u dërguan me urgjencë në spital, por mjekët nuk mundën t’u shpëtonin jetën.

Kërkimet vijuan edhe gjatë ditës së hënë, kur autoritetet nxorën nga lumi trupat e tre burrave të tjerë, duke e çuar në pesë numrin total të viktimave.

Ngjarja u zbulua pasi një shofer kalimtar telefonoi shërbimin e emergjencës 911, pasi pa një fëmijë të frikësuar duke vrapuar vetëm në rrugë dhe duke kërkuar ndihmë.

Autoritetet bënë të ditur se dy fëmijë nën moshën 10 vjeç arritën të mbijetonin dhe aktualisht ndodhen nën kujdesin e përkohshëm të shërbimeve sociale, deri në marrjen nga familjarët.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, e cila përfundoi me humbjen e pesë jetëve gjatë një përpjekjeje për shpëtimin e një personi tjetër.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit