

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lënë të hapur mundësinë që Kupa e Botës të zhvillohet në të ardhmen me 64 kombëtare, duke argumentuar se një format i tillë do t’u jepte më shumë vendeve të vogla mundësinë për të konkurruar në arenën më të madhe të futbollit.
"Nëse nuk u japim vendeve më të vogla mundësinë për të marrë pjesë, ato nuk do të kenë motivim të vazhdojnë të përmirësohen", është shprehur Infantino.
Ideja për zgjerimin e turneut u propozua fillimisht nga Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), e cila sugjeroi që Botërori 2030, që përkon me 100-vjetorin e kompeticionit, të organizohet me 64 skuadra si një edicion i veçantë.
Botërori i vitit 2030 do të organizohet nga Maroku, Portugalia dhe Spanja, ndërsa ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, në kuadër të festimeve të një shekulli nga zhvillimi i Kupës së parë të Botës.
Propozimi, megjithatë, ka hasur në kundërshtime nga drejtues të futbollit ndërkombëtar. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka cilësuar zgjerimin si një ide të papërshtatshme, ndërsa presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, dhe kreu i Konfederatës Aziatike, Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa, kanë paralajmëruar se një format i tillë mund të ndikojë negativisht në ekuilibrin e futbollit ndërkombëtar.
Pavarësisht rezervave, vendimi përfundimtar i takon Këshillit të FIFA-s, i cili do të shqyrtojë çdo propozim për ndryshimin e formatit të Kupës së Botës.
Mbështetësit e zgjerimit argumentojnë se një Botëror me 64 skuadra do të rriste përfaqësimin global dhe do të krijonte më shumë mundësi për kombëtaret në zhvillim. Nga ana tjetër, kritikët vlerësojnë se një format i tillë mund të ulë nivelin konkurrues të turneut dhe të ndikojë në cilësinë e garës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






