

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor dhe bëhen shkak për bllokimin e trafikut.
Përmes një reagimi publik, Lamallari theksoi se autoritetet nuk do të tolerojnë më sjellje të papërgjegjshme që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke nënvizuar se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë, pa përjashtim.
"Për kapriço të dikujt, nuk ka pse të vuajnë të tjerët që vonohen dhe bllokohen në trafik. Nëse mendoni se jeni të privilegjuar dhe mund të bëni çfarë të doni në trafik, përshëndeteni dronin sipër jush dhe prisni patrullën më të afërt me gjobën tuaj", deklaroi ministri.
Kreu i Ministrisë së Brendshme bëri të ditur se Policia e Shtetit do të zgjerojë përdorimin e teknologjisë për monitorimin e qarkullimit rrugor. Krahas dronëve që janë aktualisht në funksion, në akset kombëtare do të vendosen edhe kamerat inteligjente të sistemit "Smart City".
Sipas Lamallarit, sistemi i ri do të mundësojë identifikimin në kohë reale të shkelësve të rregullave të qarkullimit, ndërsa informacioni do t’u transmetohet patrullave të policisë në terren për marrjen e masave administrative.
Autoritetet vlerësojnë se përdorimi i teknologjisë së avancuar synon rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e bllokimeve artificiale të trafikut dhe forcimin e respektimit të rregullave të qarkullimit nga të gjithë përdoruesit e rrugës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






