Transmetuar më 20-07-2026, 18:26

Reforma e re territoriale ka sjellë përplasje politike në Kuvend mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Opozita ka akuzuar mazhorancën se po vijon procesin pa pritur përfundimin e punës së komisionit të posaçëm, ndërsa socialistët kanë deklaruar se ende nuk ka një vendim përfundimtar për ndarjen e re administrative.

Deputetët demokratë pretendojnë se është parashikuar shkrirja e rreth 20 bashkive, duke ngritur shqetësime për pasojat që një ndryshim i tillë mund të sjellë për komunitetet lokale.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se qeveria po tërhiqet nga një reformë gjithëpërfshirëse territoriale dhe po vijon, sipas tij, një politikë që çon në shpopullimin e mëtejshëm të vendit.

“A shkrihet Mirdita? Mos i bëni atentat Shqipërisë”, u shpreh deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, ndërsa deputetja Ina Zhupa kundërshtoi mundësinë e prekjes së bashkive si Delvina dhe Konispoli.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Taulant Balla deklaroi se nuk ka një draft përfundimtar dhe se pretendimet për shkrirjen e bashkive janë të parakohshme.

“U tha këtu Kruma (Hasi). Nuk shkrihet as Mirdita”, reagoi Balla gjatë debatit në Kuvend.

Edhe Ardit Bido u shpreh se diskutimet për ndryshime konkrete nuk mund të bëhen pa u prezantuar më parë harta e re territoriale.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit të reformës territoriale, Luçiano Boçi, kërkoi që mazhoranca të tërhiqet nga drafti dhe të shtyjë afatin e punës së komisionit. Ndërkohë, PS ka njoftuar se më 23 korrik do të paraqesë raportin e punës së deritanishme.

Sipas Taulant Ballës, në këtë fazë nuk do të ketë votim për një ndarje të re territoriale, por vetëm një raportim mbi procesin, i cili më pas do të vijojë me përfshirjen e komuniteteve.

Në mbledhjet e fundit të komisionit të posaçëm, Partia Socialiste ka bërë të ditur se po shqyrton një model me më pak bashki dhe krijimin e rajoneve, si pjesë e reformës së propozuar territoriale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit