

Ka nisur gara për drejtimin e tre departamenteve kryesore në Policinë e Shtetit, ndërsa janë bërë të ditur emrat e nëntë kandidatëve që kanë dorëzuar aplikimet.
Konkursi, i hapur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, përfshin drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale, Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.
Në mesin e kandidatëve janë drejtues aktualë dhe efektivë me përvojë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit. Mes emrave të publikuar janë Pëllumb Seferi, drejtues aktual i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Saimir Muça, drejtues i Departamentit të Kufirit, si dhe Lorenc Panganika, Artan Barjaktari, Idajet Faskaj, Lutfi Minxhozi, Ferdinand Mara, Hergis Jica dhe Alban Dautaj, drejtues aktual i Departamentit të Operacionales.
Ndërkohë, drejtuesi aktual i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, nuk ka aplikuar në këtë garë, duke konfirmuar largimin nga ky post. Nallbati e ka drejtuar këtë departament që prej gushtit të vitit 2022.
Departamenti i Policisë Kriminale, një nga strukturat më të rëndësishme të Policisë së Shtetit, pritet të ketë një drejtues të ri. Ndër kandidatët që konsiderohen me potencial për këtë pozicion janë Lorenc Panganika dhe Alban Dautaj.
Pas përfundimit të fazës së aplikimeve, pritet të nisë procesi i vlerësimit të kandidatëve. Tre kandidatët me pikët më të larta do të shpallen fitues dhe më pas drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të propozojë emrat për secilin departament te ministri i Brendshëm, i cili do të japë miratimin përfundimtar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






