Transmetuar më 20-07-2026, 18:01

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe pesë të pandehur të tjerë, të cilët akuzohen nga SPAK për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Çështja lidhet me një procedurë prokurimi me vlerë rreth 68 milionë lekë, e zhvilluar gjatë periudhës kur Beci drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Gjykimi i shkurtuar është pranuar për Benet Becin, Adela Rukon, Edlira Mitrushin, Jonid Kazanin, Yllka Nishkun dhe Rudin Gjonin. Ndërkohë, çështja ndaj të pandehurit Premtim Dauti është veçuar dhe ai do të vijojë të gjykohet me procedurë të zakonshme.

Seanca e radhës është caktuar më 14 shtator, ku prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për të pandehurit që kanë zgjedhur procedurën e shkurtuar të gjykimit.

Gjatë seancës, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kërkuan gjithashtu pushimin e çështjes, duke pretenduar se procedimi duhet të përfshihet në parashikimet e ligjit për amnistinë. Sipas pretendimit të mbrojtjes, kjo dispozitë parashikon përjashtimin nga ndjekja penale për disa vepra të kryera deri në një afat të caktuar, kur dënimi i parashikuar nuk tejkalon tre vite burg.

SPAK bëri të ditur se do të paraqesë qëndrimin e tij me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa trupi gjykues deklaroi se do të shprehet për këtë kërkesë në vendimin përfundimtar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit