Transmetuar më 20-07-2026, 15:18

Policia e Lezhës ka vënë në pranga tre persona, të dyshuar për marrjen me forcë dhe dhunimin e një 28-vjeçari, pas një konflikti që, sipas hetimeve paraprake, lidhet me mospagimin e qirasë për dy automjete.

Sipas Policisë, në pranga kanë rënë dy vëllezër, administratorë të një subjekti që jep automjete me qira, si dhe kushëriri i tyre. Ata dyshohet se e kanë marrë me forcë 28-vjeçarin në një automjet në zonën e Dervenit, në Krujë, dhe e kanë transportuar drejt Lezhës.

Hetimet paraprake tregojnë se i riu është dërguar në një pikë karburanti në fshatin Shënkoll, ku dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe më pas është lënë në rrugë.

I dëmtuari u transportua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas autoriteteve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është larguar në banesë.

Policia bëri të ditur se automjeti i përdorur në ngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

"Lezhë

Morën me forcë, në automjet, dhe dhunuan një 28-vjeçar, me pretendimin se nuk kishte paguar qiratë, për 2 automjete të marra në subjektin e tyre, arrestohen 2 vëllezër (administratorë të subjektit) dhe kushëriri i tyre. Sekuestrohet automjeti në të cilin u mor me forcë, dhe u transportua nga Kruja në Lezhë, 28-vjeçari.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një 70-vjeçari, se djali i tij, 28 vjeç, ishte marrë me forcë, në automjet, dhe transportuar, nga disa shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë mundësuan identifikimin, lokalizimin dhe kapjen, pak minuta pas kallëzimit, të 3 autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve R. M., 28 vjeç dhe R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëririt të tyre, shtetasit E. M., 22 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 3 shtetasit, me vetëgjyqësi, kanë marrë me forcë, në automjet, 28-vjeçarin, në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se ky i fundit nuk kishte paguar paratë, për 2 automjete të marra me qira, në subjektin që administronin 2 vëllezërit e arrestuar. 3 shtetasit e kanë transportuar 28-vjeçarin te në një karburant në fshatin Shënkoll, ku e kanë dhunuar dhe më pas e kanë lënë në rrugë.

28-vjeçari u transportua në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, kryer në bashkëpunim."

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit