

Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria ka vendosur të dyfishojë mbështetjen financiare për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, një masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 11 mijë fëmijë në të gjithë vendin.
Deklarata u bë gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Qendrën Sociale “Jonathan”, ku u diskutua mbi politikat e mbështetjes sociale për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre. Sipas Ramës, rritja e ndihmës ekonomike synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve përballë rritjes së kostove të jetesës.
Kreu i qeverisë bëri të ditur edhe një masë të re për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ai tha se shteti do të mbulojë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për nënat dhe kujdestarët që nuk mund të jenë të punësuar për shkak të angazhimit të tyre në kujdesin ndaj fëmijëve.
Sipas Ramës, kjo skemë synon të garantojë që kujdestarët të mos humbasin të drejtën për përfitime shoqërore dhe pension në të ardhmen, duke u trajtuar, për efekt sigurimesh, njësoj si personat e punësuar.
Kryeministri theksoi se qeveria do të vijojë të ndërmarrë politika mbështetëse për kategoritë në nevojë, duke shtuar se institucionet duhet të jenë pranë qytetarëve për të përballuar sfidat ekonomike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






