

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka deklaruar se Presidenca nuk ka pasur kompetencë në procesin e privatizimit të pronës që lidhet me dosjen “Partizani”, për të cilën po zhvillohet proces gjyqësor.
Pas dëshmisë së dhënë në gjykatë, Topi u shpreh para mediave se roli i Presidentit në atë periudhë kufizohej në procedurat formale, ndërsa vendimmarrja për privatizimin nuk ishte pjesë e kompetencave të institucionit që ai drejtonte.
“Në kuadrin e reformave kishte tre dimensione: politik, qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes; ekspertiza dhe procedurat zyrtare, ku dokumentet paraqiteshin për firmën e Presidentit. Kjo është një çështje në gjykim. Ajo që mund të them është se nuk ka qenë kompetencë e Presidentit të privatizojë prona”, deklaroi Topi.
Ai theksoi se ngjarjet lidhen me një periudhë reformash të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes, në kuadër të përgatitjeve të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, proces që sipas tij mbështetej edhe nga ekspertë të Aleancës.
Në përfundim, ish-presidenti sqaroi se një pronë që del nga plani i përhapjes mbetet fillimisht pronë shtetërore dhe më pas mund të ndjekë disa rrugë ligjore.
“Një pronë që del nga plani i përhapjes mbetet pronë shtetërore. Më pas ajo mund të mbetet e tillë, të transferohet te bashkia ose të hyjë në proces privatizimi. Mënyra se si realizohet kjo nuk ka qenë kompetencë e imja”, u shpreh Topi.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






