Transmetuar më 20-07-2026, 11:55

Deklaratat e ministres serbe të Administratës dhe Pushtetit Lokal, Snezhana Paunoviç, lidhur me ngjarjet historike në Kosovë, kanë nxitur debata të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme.

Deputetët e Partisë Demokratike, të përfaqësuar nga Albana Vokshi dhe Tritan Shehu, kërkuan që Shqipëria ta shpallë ministren serbe person të padëshiruar (non grata), të thërrasë ambasadorin e Serbisë për notë proteste, si dhe që Komisioni të miratojë një deklaratë të përbashkët dënuese. Sipas Vokshit, qëndrimet e Paunoviç përbëjnë legjitimim të spastrimit etnik dhe nuk mund të trajtohen si komente individuale pasi vijnë nga një zyrtare e lartë shtetërore.

Kryetari i Komisionit, Igli Hasani, hodhi poshtë akuzat e opozitës për heshtje, duke theksuar se institucionet dhe përfaqësuesit e mazhorancës kanë mbajtur qëndrime të qarta zyrtare. Gjatë replikave, Hasani e cilësoi deklaratën e ministres serbe si të papranueshme dhe produkt të figurave që përfaqësojnë të shkuarën e regjimit të Millosheviçit, duke bërë thirrje që çështja të mos përdoret për konsum politik të brendshëm.

Pavarësisht kërkesave të opozitës dhe paraqitjes së një draft-deklarate nga ana e tyre, propozimi nuk u hodh në votim gjatë mbledhjes. Debati shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të punimeve të komisionit, ndërsa përfaqësues të tjerë të mazhorancës kërkuan osfokusimin nga rendi i ditës që lidhej me procesin e integrimit evropian.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit