

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuar në komisionet parlamentare projektligjin për ndryshimet në Kodin Civil, duke e cilësuar atë si një hap me rëndësi në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij përpara Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Balla u ndal edhe te mungesa e opozitës në punimet parlamentare, duke i bërë thirrje kësaj të fundit t’i rikthehet procesit ligjvënës për votimin e nismave që lidhen me përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire.
Ndryshimet e propozuara në Kodin Civil synojnë transpozimin e direktivave europiane për dy çështje kryesore:
Mbrojtjen nga produktet me mangësi: Zgjerohen rregullat dhe përgjegjësitë e prodhuesit ndaj personit të dëmtuar përshtatur me zhvillimet teknologjike, duke përcaktuar se kjo përgjegjësi nuk mund të kufizohet apo përjashtohet me marrëveshje ose ligj.
Luftën kundër pagesave të vonuara: Adresohen shqetësimet e sipërmarrjeve dhe organizatave jofitimprurëse përmes qartësimit të rregullave për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, me synim rritjen e sigurisë juridike.
Gjatë ditës së sotme, nisma ligjore është prezantuar prej tij edhe në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, si dhe në atë për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






