Transmetuar më 20-07-2026, 09:58

Tragjedia në Maqedoninë e Veriut, të tre personat e zhdukur gjenden të pajetë brenda një automjeti në lumin Lepenc

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Maqedoninë e Veriut, pranë Pikëkalimit Kufitar të Bllacës, në drejtim të Shkupit, ku një automjet i tipit Mercedes me targa gjermane u gjet i përmbysur dhe i fundosur në lumin Lepenc.

Gjatë operacionit të kërkimit, autoritetet lokalizuan automjetin me të cilin udhëtonin personat e raportuar të zhdukur. Bëhej fjalë për një Mercedes GLC me targa gjermane.

Mediat maqedonase raportojnë se, pas nxjerrjes së automjetit nga uji, autoritetet konfirmuan se brenda tij ndodheshin trupat e pajetë të tre personave.

Viktimat janë Ejup dhe Fatmira Tërnava, si dhe Xheneta Shabani.

Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut kanë nisur hetimet për të përcaktuar mënyrën se si automjeti doli nga rruga dhe përfundoi në lumë.

Ngjarja është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

“Menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë konstatuan se brenda automjetit ndodheshin tre persona të pajetë, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre u konfirmua nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Sipas autoriteteve, më herët, rreth orës 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor të Bit Pazarit zhdukjen e tre personave.

Kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, në kohën kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit.

“Me zemër të thyer e pikëllim të thellë”, edhe familja jep lajmin e trishtë

Familjarët e tre qytetarëve që humbën jetën tragjikisht në aksidentin në rrugën nga Pika Kufitare Bllacë drejt Shkupit, kanë dalë me njoftim pas ngjarjes së rëndë.

“Me zemër të thyer dhe me pikëllim të thellë ju njoftojmë se, si pasojë e një aksidenti të rëndë në Maqedoninë e Veriut, nipi ynë Ejupi, mbesa jonë Fatmirja dhe kunata jonë Xheneta kanë marrë udhën e amshimit. Tre shpirtra të bardhë iu bashkuan parajsës, ndërsa neve na mbetet t’i kujtojmë me dashni dhe të lutemi për ta”, ka shkruar në Facebook një i afërm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit