Transmetuar më 20-07-2026, 09:43

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 12:00 në seancën e radhës plenare, midis një klime të tensionuar politike dhe mobilizimit të qytetarëve, të cilët kanë paralajmëruar një protestë paralelisht me punimet e parlamentit. Tubimi i sotëm shënon vazhdimësinë e rezistencës qytetare që vijon prej rreth 50 ditësh kundër qeverisë.

Seanca plenare do të nisë me procedurat standarde të miratimit të procesverbalit të datës 16 korrik dhe njoftimet zyrtare, për të kaluar më pas në shqyrtimin e një sërë çështjeve me rëndësi institucionale.

Pikat kryesore të rendit të ditës përfshijnë shqyrtimin e raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025, projektligjin "Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)", si dhe projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të organeve të sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura. Ndër to përfshihen raportet për SPAK-un, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Prokurorinë e Përgjithshme, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), si dhe Avokatin e Popullit dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH).

Në të njëjtën kohë me nisjen e punimeve parlamentare, organizatorët e protestave u kanë bërë thirrje qytetarëve të mblidhen përpara godinës së Kuvendit për t’u përcjellë mesazhin e tyre drejtpërdrejt deputetëve. Sipas aktivistëve, ky tubim është vijimësi e protestave të përditshme në kryeqytet, ku shprehet mosbesimi ndaj institucioneve aktuale dhe kërkohet ndryshim politik.

Organizatorët kanë bërë me dije se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa kanë paralajmëruar një mobilizim më masiv më 23 korrik, datë që përkon me seancën e fundit plenare të Kuvendit para pushimeve verore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit