Transmetuar më 20-07-2026, 07:43

TIRANË – Rënia e vazhdueshme e euros ndaj lekut gjatë dekadës së fundit nuk shpjegohet vetëm nga rritja e të ardhurave nga turizmi. Sipas një analize të bazuar në të dhëna zyrtare dhe vlerësime të tregut, ndikimin më të madh në zhvlerësimin e monedhës europiane, të paktën deri në vitin 2024, e ka pasur bumi i sektorit të ndërtimit.

Euro ka ndjekur një trajektore rënëse që nga fundi i vitit 2016. Nga një kurs mesatar prej afro 140 lekësh në vitin 2015, monedha europiane zbriti në 137.4 lekë në vitin 2016, në 119 lekë në vitin 2022 dhe në 100.7 lekë gjatë vitit 2024. Në vitin 2025 ajo ra për herë të parë nën kufirin e 100 lekëve, ndërsa gjatë muajve të parë të vitit 2026 kursi mesatar është rreth 95.6 lekë.

Sipas analizës, zgjerimi i vrullshëm i aktivitetit ndërtimor ka sjellë hyrje të konsiderueshme valutore në ekonomi. Gjatë viteve 2021–2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivele rekord, mes 2.1 dhe 2.7 milionë metrash katrorë në vit, duke krijuar një lidhje të fortë mes bumit të ndërtimit dhe forcimit të lekut.

Për vitin 2025 mungojnë të dhëna të plota për lejet e ndërtimit, pasi lejet për ndërtesat mbi shtatë kate miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe nuk raportohen në statistikat e INSTAT. Megjithatë, të dhënat mbi të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë tregojnë se aktiviteti ndërtimor është rritur ndjeshëm gjatë muajve të parë të vitit 2026.

Analiza ndalet edhe te roli i financimit të sektorit të ndërtimit, duke theksuar se hetimet e fundit të SPAK kanë evidentuar mënyrat se si paraja informale është kanalizuar në këtë industri. Në këtë kontekst përmendet edhe rritja e shpejtë e kompanisë Nova Construction, e cila, sipas të dhënave financiare, ka zgjeruar aktivitetin kryesisht përmes detyrimeve ndaj palëve të treta dhe jo financimit bankar, një strukturë që, sipas analizës, mund të lehtësojë përdorimin e kapitaleve informale.

Nga ana tjetër, faktorët ekonomikë themelorë, si përmirësimi i bilancit të llogarisë korrente, kanë nisur të luajnë një rol më të dukshëm vetëm nga viti 2023. Rritja e të ardhurave nga turizmi dhe remitancat ka ndikuar në shtimin e hyrjeve valutore dhe në forcimin e mëtejshëm të lekut, veçanërisht gjatë viteve 2025 dhe 2026.

Sipas analizës, deri në vitin 2024 ndikimi i sektorit të ndërtimit mbi kursin e këmbimit rezulton më i fortë se ai i turizmit. Ndërsa në vitet e fundit, forcimi i lekut është mbështetur edhe nga përmirësimi i treguesve makroekonomikë, veçanërisht rritja e të ardhurave nga turizmi dhe remitancat, të cilat kanë reduktuar deficitin e llogarisë korrente.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit