Transmetuar më 20-07-2026, 07:40

TIRANË – Banka Botërore rekomandon një reformë të thellë në mënyrën e financimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke propozuar që pagesat për spitalet dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të mos bazohen më te buxhetet historike, por te performanca, cilësia dhe rezultatet e arritura.

Në raportin e saj më të fundit, institucioni ndërkombëtar vlerëson se kjo qasje përbën një nga reformat kyçe për rritjen e efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Sipas raportit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) administron rreth 67% të shpenzimeve publike për shëndetësinë, por vazhdon të funksionojë kryesisht si administrator i buxheteve. Financimi i spitaleve publike mbështetet ende në buxhete historike sipas zërave të shpenzimeve, ndërsa pagesat e lidhura me performancën dhe kontraktimi selektiv përdoren në një masë të kufizuar.

Banka Botërore thekson se modeli aktual nuk krijon stimuj të mjaftueshëm për rritjen e produktivitetit, përmirësimin e organizimit të shërbimeve apo orientimin drejt trajtimeve me kosto më të ulët. Sipas raportit, sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por kapaciteti i kufizuar për të zbatuar një sistem strategjik të blerjes së shërbimeve.

Për këtë arsye, rekomandohet që, paralelisht me rritjen e autonomisë së spitaleve publike, të nisë zbatimi gradual i një modeli financimi të bazuar në rezultate në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.

Për kujdesin parësor, raporti propozon pagesa të bazuara në kapitacion, të përshtatura sipas moshës dhe profilit të rrezikut të pacientëve, të shoqëruara me fonde të dedikuara për diagnostikën laboratorike dhe instrumentale, si edhe me tregues performance aty ku është e zbatueshme.

Ndërsa për shërbimet ambulatore të specializuara, Banka Botërore sugjeron kontraktim strategjik të ofruesve publikë, me një model pagesash të ngjashëm me atë të përdorur për partneritetet publike-private dhe ofruesit privatë, duke vendosur njëkohësisht kuota dhe tavane buxhetore për të shmangur zgjerimin e panevojshëm të shërbimeve.

Në nivel spitalor, raporti rekomandon kalimin gradual nga financimi sipas zërave të shpenzimeve drejt pagesave sipas rasteve të trajtuara ose paketave të shërbimeve, në përputhje me objektivat e Planit Kombëtar të Spitaleve 2023–2030.

Sipas Bankës Botërore, një sistem financimi më fleksibël, i kombinuar me autonomi më të madhe menaxheriale dhe financiare për institucionet shëndetësore, do të përmirësonte planifikimin e burimeve njerëzore, përdorimin e stimujve të lidhur me performancën dhe cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve.

Në përfundim, raporti rekomandon transformimin e FSDKSH-së nga një administrator pasiv i buxheteve në një blerës aktiv të shërbimeve shëndetësore, me synimin për të rritur performancën dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit