Transmetuar më 20-07-2026, 00:58

SHBA – Spanja është kampionia e re e botës. “La Roja” mposhti 1-0 Argjentinën pas 120 minutash lojë në finalen e Kupës së Botës 2026, duke fituar titullin e dytë në histori pas triumfit të vitit 2010 dhe duke i dhënë fund mbretërimit të kampionëve në fuqi.

Skuadra e Luis de la Fuente dominoi thuajse gjatë gjithë finales, ndërsa Argjentina nuk arriti të regjistronte asnjë goditje në portë. Heroi i vetëm i ekipit të Lionel Scalonit ishte portieri Emiliano Martinez, i cili me disa pritje spektakolare mbajti gjallë shpresat e “Albiceleste” deri në kohën shtesë.

Momenti që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes erdhi në minutën e 93-të, kur Enzo Fernandez u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Argjentinën me dhjetë lojtarë. Me epërsinë numerike, Spanja rriti edhe më shumë presionin ndaj kampionëve të botës.

Goli i fitores erdhi në minutën e 106-të. Nico Williams depërtoi nga krahu dhe shërbeu saktë për Ferran Torres, i cili nuk gaboi përballë Emiliano Martinez, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur rezultatin 1-0.

Argjentina tentoi të reagojë në minutat e fundit, por me një lojtar më pak dhe pa krijuar raste të pastra gjatë pjesës më të madhe të finales, nuk arriti të rikthehej në lojë. Një gol i dytë i Ferran Torres u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa në fund Senesi dhe Giuliano Simeone iu afruan barazimit, por pa sukses.

Spanja e nisi më mirë takimin dhe krijoi rastet e para me Lamine Yamal, Cucurella dhe Laporte, ndërsa Argjentina vuajti edhe dëmtimin e Lisandro Martinez në pjesën e parë. Pas pushimit, Scaloni provoi të ndryshonte rrjedhën e lojës me aktivizimin e Leandro Paredes dhe zëvendësime të tjera, por skuadra e tij mbeti nën presionin e vazhdueshëm të spanjollëve.

Dominimi i “La Roja” u reflektua edhe në statistika, me posedim më të lartë të topit, më shumë raste dhe kontroll të plotë të ritmit të ndeshjes. Emiliano Martinez ishte lojtari më i spikatur i Argjentinës, duke shmangur një humbje më të thellë me një seri pritjesh vendimtare.

Pas përfundimit të finales, ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe dorëzimit të Kupës së Botës u zhvillua në praninë e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Mbretit të Spanjës, Felipe VI. Medaljet iu shpërndanë finalistëve, ndërsa trofeu i Kupës së Botës iu dorëzua kapitenit të Spanjës nga presidenti amerikan Donald Trump, mes festës së madhe të futbollistëve dhe tifozëve spanjollë.

Në anën tjetër, pamjet më prekëse erdhën nga Lionel Messi. Kapiteni i Argjentinës, që nuk arriti të mbrojë titullin botëror të fituar katër vite më parë, u pa i përlotur përpara tifozëve argjentinas, të cilët e duartrokitën gjatë largimit nga fusha. Emocionet e 39-vjeçarit u bënë një nga momentet më të komentuara të finales, teksa shumë e konsiderojnë këtë si paraqitjen e tij të fundit në një Kupë Bote.

Me këtë triumf, Spanja rikthehet në fronin e futbollit botëror si kampionia e re e Kupës së Botës 2026, ndërsa Argjentina e Lionel Messit dorëzon kurorën e fituar katër vite më parë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit