Transmetuar më 19-07-2026, 22:17

Një ndërhyrje policore në Bolonjë të Italisë ka përfunduar tragjikisht, pasi një 43-vjeçar me origjinë marokene humbi jetën gjatë përpjekjes për arrestimin e tij.

Ngjarja ndodhi në lagjen Pilastro, në rrugën “Via Svevo”, pas një telefonate nga banorët e zonës, të cilët kishin raportuar për sjellje të pazakontë të një personi pranë ambienteve të garazheve të një pallati.

Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve italiane, në vendngjarje mbërritën efektivë policie dhe ekipet e urgjencës mjekësore. 43-vjeçari, i identifikuar si Abderrahim Fakir, dyshohet se ka goditur automjetin e policisë, pas së cilës efektivët kanë përdorur sprej irritues dhe kanë ndërhyrë për ta neutralizuar.

Burri është vendosur në pranga plastike, por pak minuta më vonë ka shfaqur shenja të një përkeqësimi të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore dhe ka ndërruar jetë pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale, të filmuara nga banorë të zonës, kanë shtuar debatet mbi mënyrën e ndërhyrjes. Në video dëgjohen thirrjet e 43-vjeçarit për ndihmë, ndërsa efektivët përpiqen ta mbajnë nën kontroll në tokë.

Sipas dëshmitarëve, ai pas disa minutash ka ndaluar së rezistuari dhe ka humbur ndjenjat. Një prej policëve është parë duke kontrolluar gjendjen e tij, por pa marrë përgjigje.

Familjarët e viktimës kanë ngritur akuza ndaj policisë dhe kërkojnë një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave.

“E prangosën dhe ai vdiq. Ne duam të dimë çfarë ka ndodhur. Nuk do të gjejmë qetësi pa marrë drejtësi”, deklaroi motra e 43-vjeçarit për mediat italiane.

Një banor i pallatit, i cili pretendon se ka qenë dëshmitar i ngjarjes, tha se viktima kërkonte vazhdimisht ndihmë dhe se ishte i shqetësuar, por sipas tij nuk po kryente ndonjë veprim agresiv.

Prokuroria italiane ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Abderrahim Fakir, i martuar dhe baba familjeje, punonte në sektorin e logjistikës dhe jetonte pranë Bolonjës.

Hetimi pritet të sqarojë nëse vdekja lidhet me gjendjen shëndetësore të 43-vjeçarit apo me mënyrën e ndërhyrjes gjatë arrestimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit