

Në protestën e 50-të qytetare në Tiranë, një prej pjesëmarrësve zhvilloi një simbolikë të veçantë duke shpërndarë “medalje” prej letre për qytetarët në shesh, duke i cilësuar ata si rezistencë të jashtëzakonshme.
Gjatë tubimit të zhvilluar para Kryeministrisë, një protestues iu drejtua qytetarëve me një mesazh falënderimi dhe vlerësimi për qëndrueshmërinë e tyre gjatë 50 ditëve të protestës.
Ai deklaroi se pjesëmarrësit meritonin një vlerësim shumë më të madh sesa një medalje simbolike, duke theksuar se këmbëngulja e tyre ishte një dëshmi e forcës qytetare.
“Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje. Është prej letre, por ju meritoni medalje diamanti. Nuk ka metal të çmuar që ta arrijë prestigjin tuaj. Nuk ka uratë që arrin prestigjin e shqiptarëve të bashkuar”, u shpreh ai.
Protestuesi theksoi se, sipas tij, qytetarët kanë hyrë në një nga protestat më të gjata të zhvilluara në vend dhe se, pavarësisht presioneve dhe kritikave, lëvizja do të vijojë.
“Për 50 ditë kemi duruar urrejtje, baltëhedhje, sharje dhe ofendime, por nuk u dorëzuam dhe nuk do të dorëzohemi. Jo 50, as 150, por edhe 1 550 ditë do të jemi sërish këtu”, deklaroi ai.
Ai akuzoi gjithashtu përpjekjet për përçarje të protestës, duke thënë se pjesëmarrësit do të vijojnë të qëndrojnë të bashkuar.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen protestës.
“Për ata që nuk janë në shesh, mesazhi është i qartë: Ejani në protestë”, përfundoi ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






