Transmetuar më 19-07-2026, 19:58

Një histori familjare e mbushur me akuza dhe konflikte pronësie është trajtuar në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare”, ku Ermali ka kërkuar të drejtën mbi apartamentin ku, sipas tij, është rritur së bashku me familjen.

Në rrëfimin e tij, Ermali deklaroi se familjarët e kishin konsideruar të humbur, ndërsa pas rikthimit në Shqipëri nuk kishte gjetur as banesën dhe as sendet personale që kishte lënë pas.

“Më dinin të vdekur, por unë jam i gjallë. Jam këtu për të marrë gjithçka që më takon”, u shpreh ai gjatë prezantimit të historisë së tij.

Ermali tregoi se në vitin 2007 kishte emigruar në Itali dhe ishte kthyer në Shqipëri në vitin 2019, pas shumë vitesh mungesë. Sipas tij, apartamenti ku ishte rritur me prindërit nuk ishte më në të njëjtën gjendje dhe ai nuk kishte gjetur sendet e tij personale.

Ai pretendon se në vitin 2013, nëna e tij së bashku me vëllain e madh kishin kryer veprime për apartamentin pa dijeninë e tij.

“Kam lënë një apartament ku jam rritur me nënën dhe babain tim. Kur u ktheva në vitin 2019, nuk gjeta asgjë siç e kisha lënë. Sipas meje, nëna ime dhe vëllai më kanë marrë apartamentin ku jam rritur me mundin e babait tim”, deklaroi Ermali.

Ai shtoi se, pavarësisht problemeve që kishte pasur gjatë jetës, e konsideron veten pjesë të familjes dhe pretendon se ka dhënë kontributin e tij.

Ermali rrëfeu gjithashtu se gjatë kthimit nga Italia kishte kaluar një periudhë të vështirë dhe se kishte mbërritur në Shqipëri pa pasuri apo sende personale.

“Kam sjellë shumë gjëra nga Italia dhe nuk gjeta asgjë. Kam ardhur nga Italia në Rinas, më ka sjellë policia me pranga, vetëm me shapka. Nuk kam asgjë. Çfarë kam sjellë, m’i kanë marrë të gjitha”, u shpreh ai.

Çështja është trajtuar si një konflikt familjar, ndërsa pretendimet e palëve janë pjesë e debatit të zhvilluar në emision.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit