Transmetuar më 19-07-2026, 19:25

Mediat greke kanë publikuar pamjet e aksidentit të rëndë rrugor në Hania të Kretës, ku një ambulancë u përplas me një automjet vetëm pak metra larg Spitalit të Përgjithshëm të qytetit.

Video tregon momentin e përplasjes së fortë mes ambulancës dhe një makine ngjyrë argjendi, e cila drejtohej nga një infermiere e Departamentit të Urgjencës së spitalit, e cila sapo kishte përfunduar turnin e saj.

Si pasojë e goditjes, ambulanca humbi kontrollin, u përmbys dhe përfundoi në rrugë.

Sipas raportimeve të mediave greke, një prej infermierëve të ambulancës pësoi fraktura në gjoks, ndërsa drejtuesi i ambulancës dhe shoferja e automjetit nuk pësuan dëmtime të rënda dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pacienti që transportohej me ambulancë humbi jetën për shkak të arrestit kardiak që kishte pësuar më herët, sipas njoftimit zyrtar të EKAB.

Rrethanat e plota të aksidentit po hetohen nga Policia Rrugore e Hanias.

Shoqata e Punonjësve të Shërbimeve Mjekësore të Emergjencës në Hania shprehu ngushëllimet për familjen e pacientit që humbi jetën dhe uroi shërim të shpejtë për tre personat e përfshirë në aksident.

Në reagimin e saj, shoqata theksoi kushtet e vështira në të cilat punojnë ekipet e emergjencës, duke nënvizuar se çdo ndërhyrje kërkon shpejtësi, përqendrim dhe vendimmarrje të menjëhershme, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes dhe të lehtësojnë kalimin e automjeteve të emergjencës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit