

Një prej pjesëmarrësve në protestën qytetare që po zhvillohet prej 50 ditësh në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", aktori Florian Binaj, është shprehur se nuk ka qenë në dijeni të krijimit të të ashtuquajturit "Kuvend Qytetar", duke theksuar se nuk e konsideron atë një strukturë përfaqësuese të protestuesve.
Në një intervistë për A2, Binaj deklaroi se nuk ishte informuar për mbledhjen dhe se, sipas tij, mënyra se si u organizua ngriti pikëpyetje.
"Jo vetëm që nuk isha i pranishëm, por nuk kisha fare dijeni që ishte krijuar një kuvend. Pamjet që pashë më lanë përshtypjen e diçkaje të stisur dhe jo përfaqësuese të protestës", u shpreh ai.
Sipas Binajt, nëse do të ngrihej një strukturë përfaqësuese, ajo duhej të buronte nga konsultimi me të gjithë qytetarët që marrin pjesë në protestë. Ai tha se nga personat e pranishëm në takim njohu vetëm Armir Shkurtin dhe Sazan Gurin, ndërsa pjesën tjetër nuk i njihte.
Binaj ngriti dyshime se ka tentativa për të përçarë protestën nga brenda, duke ia atribuar këto përpjekje politikës.
Sipas tij, pasi metodat e përdorura më herët për të zbehur protesta të tjera nuk kanë dhënë rezultat, tani synohet krijimi i strukturave paralele për të fragmentuar lëvizjen qytetare.
Ai pretendoi se në protestë po tentohet të përfshihen elementë radikalë ose provokatorë, me qëllim krijimin e përçarjeve dhe dobësimin e kauzës.
Duke folur për organizimin e protestës, Binaj theksoi se mungesa e një drejtuesi të vetëm ka qenë një nga faktorët që, sipas tij, i ka dhënë jetëgjatësi lëvizjes.
"Protesta nuk ka kokë dhe pikërisht ky ka qenë suksesi i saj. Kushdo që është në shesh përfaqëson veten dhe mbështet kërkesat që i konsideron të drejta", deklaroi ai.
Në përfundim, Binaj vlerësoi se një nga arritjet më të rëndësishme të protestës ka qenë rritja e ndërgjegjësimit qytetar dhe sensibilizimi i opinionit publik, brenda dhe jashtë vendit, për çështje që lidhen me zhvillimet në Shqipëri, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës dhe zonave të mbrojtura.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






