

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Milano Marittima, në provincën e Ravenës, Itali, ku një vajzë 4-vjeçare nga Austria humbi jetën pasi u mbyt në pishinën e një hoteli ku po kalonte pushimet me familjen.
Prokuroria e Ravenës ka nisur hetime ndaj babait të së miturës, i cili dyshohet për braktisje të një fëmije. Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, ai i kishte kërkuar vajzës të priste pranë zonës së lojërave dhe pishinës, ndërsa ishte larguar për pak minuta për të marrë diçka në dhomën e hotelit.
Kur u rikthye, vogëlushja ishte nxjerrë nga uji dhe, pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta shpëtuar, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë ndihmuar hetuesit në rindërtimin e ngjarjes. Sipas tyre, vajza shihet duke ecur e vetme drejt pishinës dhe më pas zhduket nga fusha e kamerës në një zonë më pak të dukshme. Dyshohet se ajo ka qëndruar në ujë për rreth shtatë deri në tetë minuta përpara se të konstatohej nga personat e pranishëm.
Sipas rindërtimit paraprak, ishin dy fëmijë të vegjël ata që vunë re se diçka nuk shkonte. Pasi panë portën e pishinës të hapur, hynë në ambient dhe dalluan trupin e vogëlushes në ujë, duke njoftuar menjëherë të rriturit.
Në vendngjarje ndërhyri edhe një mjek që ndodhej rastësisht në hotel, i cili i dha ndihmën e parë së miturës deri në mbërritjen e shërbimeve të emergjencës.
Familja austriake kishte udhëtuar në rivierën italiane për pushime dhe kishte planifikuar të kthehej në Austri më 19 korrik. Vajza ndodhej në hotel së bashku me prindërit dhe dy motrat e saj më të mëdha.
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe kushtet e sigurisë në ambientet e pishinës. Sipas të dhënave paraprake, në momentin e ngjarjes nuk kishte roje bregdetare ose shpëtimtare në shërbim dhe hyrja në pishinë ishte e hapur.
Prokuroria po shqyrton të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë edhe dyshimet për vrasje nga pakujdesia. Autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa pishina e hotelit është sekuestruar me urdhër të autoriteteve për vijimin e hetimeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






