Transmetuar më 19-07-2026, 18:40

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish lidhur me zhvlerësimin e euros në raport me lekun, duke e cilësuar atë si pasojë të hyrjes së kapitaleve të dyshuara kriminale në ekonominë shqiptare.

Në një deklaratë publike, Tabaku u shpreh se rënia historike e euros nuk mund të shpjegohet më vetëm me ndikimin e turizmit, investimeve të huaja apo remitancave, ndërsa akuzoi qeverinë se po përpiqet të justifikojë fenomenin.

"Zhvlerësimi i euros me pothuajse një të tretën e vlerës dhe fakti që sot euro ka arritur minimumin historik që prej futjes së saj në ekonominë shqiptare është një realitet që nuk mund ta mohojë askush, as qeveria", deklaroi deputetja demokrate.

Tabaku iu referua edhe hetimeve të fundit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar se vetëm në një nga operacionet e zhvilluara së fundmi janë sekuestruar 491 pasuri të dyshuara se janë krijuar nga aktiviteti i pastrimit të parave.

Sipas saj, sektorët e ndërtimit, turizmit dhe lojërave të fatit vazhdojnë të konsiderohen ndër fushat me rrezikun më të lartë për pastrimin e parave, ndërsa hetimet penale, sipas saj, po e konfirmojnë këtë fenomen.

Deputetja e PD-së deklaroi se aktiviteti kriminal i hetuar për periudhën 2019–2021 lidhet me qarkullimin e rreth 2 miliardë eurove në vit, duke argumentuar se këto kapitale kanë ndikuar në deformimin e konkurrencës, kursit të këmbimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme.

Ajo shtoi se bizneset që prodhojnë, eksportojnë dhe punësojnë nuk mund të konkurrojnë me kapitale që, sipas saj, nuk synojnë fitimin ekonomik, por legalizimin e fondeve të paligjshme. Si shembull përmendi industrinë fason, e cila realizon të ardhurat në euro, ndërsa përballon kostot dhe pagat në lekë, duke u penalizuar nga kursi aktual i këmbimit.

Tabaku ngriti shqetësime edhe për tregun e banesave, duke deklaruar se çmimet e larta të apartamenteve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për shtresën e mesme blerjen e një prone.

Në përfundim, deputetja demokrate u shpreh se pastrimi i parave nuk është vetëm një problem ekonomik, por një fenomen që, sipas saj, prek drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve, fuqinë blerëse dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Shënim: Deklaratat e mësipërme përfaqësojnë qëndrimet e deputetes Jorida Tabaku. Autoritetet shtetërore nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se zhvlerësimi i euros është shkaktuar nga pastrimi i parave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit