

Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë të enjten, më 23 korrik, seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Në qendër të diskutimeve do të jetë shqyrtimi dhe votimi i raporteve të hartuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale.
Në seancë do të paraqiten dy raporte, ai i shumicës socialiste dhe raporti i opozitës. Megjithatë, për shkak të shumicës parlamentare prej 84 votash që disponon Partia Socialiste, pritet të miratohet raporti i mazhorancës.
Vëmendja mbetet e përqendruar te mundësia që mazhoranca të prezantojë një propozim për një hartë të re administrativo-territoriale. Sipas diskutimeve të deritanishme, një prej varianteve të shqyrtuara parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 50 ose edhe në 40.
Ndërkohë, ndryshimet e tjera që lidhen me ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe financat vendore nuk pritet të trajtohen në këtë sesion, pasi shqyrtimi i tyre është shtyrë për sesionin e ri parlamentar, i cili nis në muajin shtator.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






